Monedhë

Kategoritë

2 vjet më parë

8 superkompjuterët më të fuqishëm në botë dhe për çfarë përdoren

Superkompjuterët sot janë bërë aq të fuqishëm saqë kanë eliminuar vijat ndarëse mes fantazisë dhe realitetit.

8 superkompjuterët më të fuqishëm në botë dhe për çfarë përdoren

Jemi mësuar të shohim superkompjuterët në filma fantashkencë të aftë të përpunojnë sasi masive të dhënash në pak sekonda, aq të avancuar saqë do ta bënin një kompjuter personal të dikujt si një lodër.

Por superkompjuterët sot janë bërë aq të fuqishëm saqë kanë eliminuar vijat ndarëse mes fantazisë dhe realitetit. Në këtë artikull do të shohim 8 superkompjuterët më të fuqishëm në botë.

  1. Frontier (SHBA)

I ndërtuar në 2022 nga kompania shumëkombëshe Amerikane Hewlett Packard Enterprise në bashkëpunim me filialin cray. Është super kompjuteri i parë në botë që mund të bëjë përllogaritje prej 1 kuintilion çdo sekondë.

Frontier ka një total prej 8,730,112 bërthama dhe në testimet e performancës shënon 1.1 EFLOP. Është i bazuar në arkitekturën më të fundit HPE Cray dhe përdor një kombinim të procesorëve AMD 64 bërthamësh 2Ghz 7A53s dhe grafikave MI250X.

Frontier gjithashtu është superkompjuteri më efikas në botë me një vlerësim prej 52.23 gigaflops/watt. Në total ka kushtuar 600 milionë dollarë për tu ndërtuar.

  1. Fugaku (Japoni)

U ndërtuar në 2020-ën nga gjiganti Japonez Fujitsu si pasardhësi i superkompjuterit K ndërtuar në 2011-ën. Është dizajnuar për të zgjidhur problemet më të mëdha të botës, kryesisht ato klimaterike.

Fugaku ishte superkompjuteri më i fuqishëm në botë derisa u ndërtuar Frontier në Maj të 2022. Ka një total prej 7.630.848 bërthamësh dhe një performancë prej 442 PFLOPs ose 442 kuadrilion llogaritje në sekondë.

Bazohet në procesorën A64FX me 48 bërthama dhe frekuencë 2.2Ghz të Fujitsu dhe një vlerësim efikasiteti prej 14.78 gigaflops/watt. Sistemi ka kushtuar më shumë se 1 miliardë dollarë.

  1. LUMI (Finlandë)

U ndërtuar në 2022 nga HPE në Finlandë duke u bërë superkompjuteri më i fuqishëm në Evropë. Ka 1.110.144 bërthama dhe performancë prej 151.9 PFLOPS. LUMI ka të njëjtin procesor që ka Frontier dhe një efikasitet prej 51.63 gigaflops/watt.

  1. Summit nga IBM (SHBA)

Ky superkompjuter u ndërtuar në 2018-ën nga IBM për kërkime shkencore. Është instaluar në Laboratorin Oak Ridge në SHBA, të njëjtën hapësirë ku është Frontier. Summit ka një total prej 2.414.592 bërthamash dhe performancë 148.6 PFLOPS.

Summit mbështetet në procesorin POWER9 3.07Ghz me 22 bërthama dhe grafikat Nvidia Tesla V100. Ka një efikasitet prej 14.72 gigaflops/watt.

  1. Sierra (SHBA)

U ndërtua në 2018-ën dhe është shumë i ngjashëm me Summit sepse të dy superkompjuterët kanë procesorin POWER9 22 bërthama dhe grafikat Nvidia Tesla V100. Por Summit ishte ndërtuar për kërkime shkencore ndërsa Sierra për simulime dhe testime të armëve bërthamore Amerikane.

Duke realizuar simulime, superkompjuteri përllogariste efektivitetin e armëve bërthamore pa pasur nevojë ta testojnë fizikisht. Sierra ka një total prej 1.572.480 bërthamash dhe performancë prej 94.64 PFLOPS. Efikasiteti është në 12.72 gigaflops/watt.

  1. Sunway Taigu Light (Kinë)

I gjashti në listë është superkompjuteri i parë Kinez dhe më i fuqishmi ndërtuar nga vendi me popullsinë më të madhe në botë. U ndërtua në 2016-ën për qëllime të ndryshme nga parashikimi i motit, tek kërkime farmaceutike, kërkime shkencore etj.

Sunway Taihu Light ka 10.649.600 bërthama dhe performancë prej 93.01 PFLOPS. Mbështetet mbi procesorin Sunway SW26010 me 260 bërthama dhe frekuencë 1.45Ghz. Efikasiteti i tij është shumë i ulët në 6.05 gigaflops/watt.

  1. Perlmutter (SHBA)

Është ndërtuar nga HPE në 2021 dhe është superkompjuteri i 7-të më i fuqishëm në botë emërtuar pas fituesit të çmimit Nobel Saul Perlmutter. Njëlloj si Sunway ka shërbyer për qëllime të ndryshme nga simulime të shkrirjeve bërthamore, tek projektime klimaterike, kërkime biologjike dhe kozmologji.

Aktualisht është i vendosur pranë Qendrës Kërkimore Energjike në SHBA. Perlmutter përdor procesorën AMD 7763 me 64 bërthama dhe frekuence 2.45Ghz dhe grafikat Nvidia A100. Në total ka 761.856 bërthama dhe performancë prej 70.87 PFLOPS. Efikasiteti i tij llogaritet në 27.37 gigaflops/watt.

  1. Selene (SHBA)

Është ndërtuar nga Nvidia në 2020-ën dhe emërtuar pas zotit Greek të hënës. Qëllimi i vërtetë i ndërtimit të tij u kuptua në 2020-ën kur Laboratori Amerikan Argonne e përdori për studimin e koronavirusit dhe gjetjes së një kure potenciale.

Selene ka 555.520 bërthama dhe performancë 63.46 PFLOPS. Mbështetet mbi procesorin AMD 7742 me 64 bërthama dhe frkuencë 2.25Ghz dhe një efikasitet prej 24 gigaflops/watt. /PCWorld Albanian

Copyright: © PCWorld Albania

Dil i kënaqur me: