Monedhë

Kategoritë

4 vjet më parë

Faceshield Mask, një nismë mbarëkombëtare për të prodhuar maska 3D kundër COVID-19 për spitalet në Shqipëri dhe Kosovë

Prototipi prodhohet në 3D Printer, bazuar në modelin e siguruar si rezultat i bashkëpunimit të Universitetit të Transilvanisë nga Rumania dhe Universitetit Politeknik të Valencias nga Spanja.

Një nismë e një ekipi nga Shqipëria dhe Kosova për të prodhuar maska mbrojtëse përmes teknologjisë së printimit 3D për spitalet në luftën kundër sëmundjes COVID-19 ka arritur të grumbullojë financim prej 2,400 eurosh në 24 orë.

Nisma e iniciuar nga Prof. Dr. Shaban Buza, profesor në Universitetin e Prishtinës filloi me prodhimin e një pajisjeje prototip quajtur Faceshield Mask.

Prototipi prodhohet në 3D Printer, bazuar në modelin e siguruar si rezultat i bashkëpunimit të Universitetit të Transilvanisë nga Rumania dhe Universitetit Politeknik të Valencias nga Spanja.

Janë krijuar dy ekipe për këtë nismë humanitare: një në Kosovë i udhëhequr nga Shaban Buza dhe i dyti në Shqipëri i udhëhequr nga Dea Buza. Të dyja ekipet kanë prodhuar prototipin e pajisjes, dhe janë vendosur kontaktet me institucionet për të adresuar nevojat!

Materiali i përdorur për prodhimin e maskës është filament PLA. Për të arritur prodhimin nevojshëm të maskave është e nevojshme një sasi prej 50 kg filament. Maskat janë destinuar për personelet mjekësore nëpër spitale të cilët janë në vijën e parë të luftës me koronavirusin.

Dërgesat e para të maskave Faceshield u bënë ditën e Premte më 27 Mars prej afro 90 copë për Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Brenda muajit të parë ekipi i Faceshield Mask synon që të prodhojë 1,000 maska të tilla. Nisma ka marrë kërkesa nga spitalet e Tiranës dhe Shkodrës për 500 dhe 200 maska 3D të printuara respektivisht.

Ekipi gjithashtu ka bërë thirrje për mbledhje fondesh për ti ndihmuar në prodhimin e këtyre maskave dhe blerjen e 3D printerave të tjerë.

Aktualisht po punojnë me një printer në ditë i cili përgjatë 18 orëve punë mund të prodhojë 16 maska dhe për të arritur objektivin e 1,000 maskave do të duheshin 45 ditë me këto resurse. Ekipet e Faceshield Mask synojn të blejnë një printer të dytë për të përgjysmuar kohën e prodhimit.

Mjekët dhe infermierët kanë nevojë sot më shumë se kurdoherë për ruajtjen e shëndetit të tyre që ta ruajnë shëndetin tone. Pasi vlerësimet e para tregojnë se nevojitet një sasi e madhe e këtyre maskave, pra duhet material bazë (filament) shtesë për 3D Printer, po ashtu edhe numër shtesë i 3D Printerëve. Andaj, ftojmë të gjithë vullnetmirët që të kontaktojnë udhëheqësit e ekipeve.

Copyright: © PCWorld Albania

Dil i kënaqur me: