Monedhë

Kategoritë

5 vjet më parë

SHBA, telemjekësia në kulmin e saj për shkak të pandemisë

Ndërsa vazhdojmë të praktikojmë distancimin social, telemjekësia ka të ngjarë të ndryshojë marrëdhëniet mes mjekëve dhe pacientëve.

Përveç rasteve në zonat rurale dhe disa praktikave mjekësore, telemjekësia në Shtetet e Bashkuara ka qenë e ngadaltë. Por kërkesa për distancimin social nga pandemia ka përshpejtuar përdorimin e telemjekësisë në të gjithë botën, veçanërisht për vizitat e kujdesit parësor. Si doktori ashtu edhe pacienti po mësojnë se mund të realizohen shumë gjëra edhe nga distanca. Korrespondentja Michelle Quinn njofton.

Praktika quhet telemjekësi. Që nga fillimi i shpërthimit të koronavirusit, mjekët dhe pacientët po takohen më pak në person, dhe më shumë në telefon ose me video. Qëllimi është i dyfishtë: Mbrojtja e pacientëve duke i mbajtur larg dhomave të urgjencës dhe zyrave të mjekëve dhe ulja e vizitave fizikisht në mënyrë që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet….

Dr. Edward Lee tani sheh më shumë se 20 pacientë në ditë në këtë mënyrë në Sakramento të Kalifornisë.

Në ditët e sotme, me COVID-19, ne po e shohim telemjekësinë si një domosdoshmëri. Pacientët janë duke u mbajtur të sigurt”, thotë Dr. Lee.

Revolucioni i telemjekësisë, të cilit i kanë rezistuar disa mjekë, pacientë dhe rregullatorë, tani po bëhet realitet.

Përkrahësit thonë se mjekët që përdorin video, email-a dhe teknologji të tjera rrisin qasjen e njerëzve tek kujdesi mjekësor duke i bërë vizitat më të përshtatshme. Mund të jetosh në një zonë rurale dhe të këshillohesh me një ekspert pa pasur nevojë për të udhëtuar me orë të tëra.

Skeptikët thonë se një telefonatë nuk duhet të zëvendësojë vizitat në person, ku një mjek mund të kryejë teste diagnostikuese dhe të kuptojë më mirë shëndetin e përgjithshëm të një personi.

Rregullatorët në Sh.B.A kohët e fundit i dhanë telemjekësisë një nxitje të përkohshme duke e bërë më të lehtë për ofruesit e kujdesit shëndetësor të kërkojnë pagesë për këto vizita virtuale dhe duke i dhënë dritën e gjelbër se përdorimi i Skype dhe teknologjive të tjera nuk shkel ligjet e privatësisë së pacientëve.

Mjekët thonë se mund të bëjnë shumë nga larg, si monitorimin e pacientëve që masin vetë tensionin dhe nivelin e sheqerit në gjak për shembull. Ata shqyrtojnë mundësinë nëse çështja mjekësore e një pacienti mund të trajtohet nga distanca ose personalisht.

Po të shohim një skuqje të thjeshtë, ose një njollë në krah, telemjekësia është e përsosur. Fortësia e një mase, është pak më e vështirë, megjithëse mund t’i kërkojmë pacientit ta përshkruaj diçka të tillë“, thotë zoti Lee. “Nëse më duhej të bëja një injeksion, nëse më duhet të bëj një procedurë të vogël, nuk do të jem në gjendje ta bëj atë përmes videos ose telefonit. Dhe kështu, në ato situata kur ka nevoja urgjente, do ta sjellim pacientin në klinikë. 

Spitalet përdorin robotë si këta në mënyrë që një ekspert qindra kolometra larg mund të vizitojë një pacient dhe stafin mjekësor gjatë një kursi trajtimi, thotë Dr. Kathleen Jordan me Spitalin Memorial tSaint Francis në San Francisko.

Kemi këtë robot që e përdorim për goditje në kokë, që është një ekzaminim shumë më i thellë neurologjik. Duhet të kemi dikë në krah të pacientit. Neurologu kontrollon kamerën, si dhe këndin, dhe me të vërtetë i shikon gjërat“, thotë dr. Jordan.

Sigurisht që ka situata ku takimet në person janë më të mirat, si diagnostikimi i kancerit. Diskutimi i dhënies fund të jetës.

Cilësia e videos është shumë e mire. Mund të shohim njëri-tjetrin, mund të dallojmë shprehjet e fytyrës dhe të krijojmë vërtetë një lidhje përmes kamerave. Por është e vështirë të zëvendësosh mundësinë për të mbajtur dorën e pacientit kur flet për lloje të ndryshme situatash, tu japësh një përqafim apo tu rrahësh krahët”, thotë Dr. Lee.

Copyright: © PCWorld Albania

Dil i kënaqur me: